Shoqata Kulturore Shqiptare "Migjeni"

Kjo shoqatë shqiptare është themeluar në vitin 1989 në Lubjanë nga intelektualë dhe patriotë shqiptarë, duke bashkuar shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë (sot Maqedonia e Veriut), Malit të Zi, Luginës së Preshevës, etj. Çështja kombëtare dhe sidomos ajo e Kosovës gjeti përkrahje ndër shqiptarët e Sllovenisë, por edhe ndër intelektualët sllovenë. Kështu, në kohën më të shkurtër Shoqata “Migjeni” me revistat “Alternativa” dhe më vonë edhe “Republika” u shndërruan në zërin e vërtetë të shqiptarëve në Slloveni dhe në Diasporë. Veprimtarë të njohur si Gjon Simoni, Naim Maloku, Salih Kabashi, Fadil Demiri, Nikollë Berishaj, Mesut Ajdini, Fadil Bajrami, Gani Buçinca, Halil Matoshi, Abedin Maliqi, Taxhedin Alimi, Iljaz Ibrahimi, Martin Berishaj e shumë të tjerë i dhanë jehonë çështjes shqiptare, e kthyen në çështje të ditës kauzën e Kosovës, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për çështjen kombëtare shqiptare. Që në fillimet e saj, çështja kombëtare shqiptare dhe ajo e Kosovës në veçanti, u përkrahën fuqishëm nga intelektualë dhe njerëz të njohur sllovenë si Jaša Zlobec, Peter Božič, Matjaž Hanžek, Dane Zajc, Marjan Rožanc, Spomenka Hribar, Janez Janša, Igor Bavčar, Marko Hren, Franci Zavrl, Jožef Školč, Ivan Borštnar dhe shumë të tjerë.

Duke mos harruar asnjë aktivitet të shoqatës dua të shprehi respektin për vajzat dhe djemtë shqiptarë që jetonin dhe vepronin në Slloveni por jo vetëm, e që ishin padyshim aktivist që i dhanë shoqatës fizionomi të re. Me seksione të muzikës dhe dramaturgjisë, duke e rritë vlerën e shoqatës dhe duke i dhënë asaj dimension të ri. Ata organizuan koncerte, që grumbulluan rreth shoqatës pa përjashtim shqiptarët që jetonin dhe punoni në Slloveni dhe në Kroaci. Ata u bënë dhe ishin tharm i ndergjegjëjes kombëtare në vitet kur krenaria jonë nëpërkëmbej. Seksioni dramatik, përgatiti dramën nga Kolë Jakova “Halili dhe Hajria” nën regjinë e Skender Fazliut. Në fillim të organizimit kulturorë seksionin e muzikës e udhëhiqte Ilir Elezkurtaj e pastaj të dy seksionet u bashkuan në një. Shfaqja e koncerteve të shoqatës Migjeni, jo vetëm në Lubjanë, por edhe në qendrat tjera në Slloveni, sikurse ishte ai në Postojnë si edhe në Kroaci e Klagenfurt të Austrisë. Nën udhëheqjen artistike të Skender Fazliut, dua ti rreshtoj: Arjeta Kabashi, Mihane Zuka, Kymete Lutolli, Gresa Kabashi, Remzije Sinani, Xhevrije Sinani, Vesna Berisha, Ganimete Shala, Xhavit Hoxha, vëllezërit Sherbim dhe Ilir Elezkurtaj, Beqir Telaku, Hasan Telaku, Mehdi Lutolli, Fatmir Gjaka, Ali Dobruna, Naser Fazliu, Besim Gjaka, Sabit Geci, Ali Bytyqi, vëllezërit Isak dhe Fejzë Zabelaj, Elmi Karaqica, Bahtjar Bytyqi, Ruzhdi Abazi, Agim Rexhepi, Dino Murtezani, Halil Hyseni, Vehbi Sahiti, Afrim Miftari e shumë të tjerë, duke mos harruar recitimet e fëmijëve të mësimit plotësues të shkollës shqipe, sikurse ishin Visar Fazliu, Si konferencierë i këtyre koncerteve ishin anëtarët e këtij seksioni: Arjeta Kabashi dhe Arben Kabashi.

Film promovues i historikut të SHKSH “Migjeni"

Historiku

Ishte viti  1989. Viti më i zymtë dhe me i ndritshëm njëkohësisht në historinë pesëdhjetëvjeçarë të Kosovës. Procesi i afirmimit kombëtar i shqiptarëve të Jugosllavisë mori edhe një nga vrullet, ndoshta më të rëndësishmet pas vitit 1981. Kosova u okupua nga trupat ushtarako-policore të garniturës memorandumiane të Millosheviqit. As organizatave ndërkombëtare nuk u lejohej prezenca. Për gazetarë as të mos flasim!

Dromca kujtimesh

Një gjë për të cilën nuk shkruhet as që ekziston – është mjeshtri e provuar propagandistike e që plotësisht akordohet me teoremën e Goebelsit “Nëse një rrenë e përsëritë njëmijë herë ajo medoemos  bëhet e vërtetë". Për Kosovën duhej të shkruhej vetëm nga një anë. Vetëm nga një këndvështrim – nga ai serb. Si akt të parë mjeshtrit e okupimit e morën në duart e veta RTV dhe mjetet e informimit ( më mirë të themi  ua mbylli dyert). Çdo gjë që shkruhej për Kosovën e që nuk vinte nga ana serbe kualifikohej edhe nga të tjerët, të themi më së lehti, si gjë aproksimative pa sprova të origjinalitetit të një dokumenti të mirëfilltë. Kudo që ishim shqiptarët pritnim me padurim çdo lajm që i thyente hundët makinës propagandistike serbe. Për fat të keq, gjërat që shkruheshin apo që thuheshin ishin të pakta dhe me tejet pak brumë.  Fat edhe më i keq ishte se edhe diplomacia e Shqipërisë heshtte. Apo më mirë, vazhdonte me  rrugën e trasuar me kohë nga “prijësi gjithëkombëtar" – Enver Hoxhës, për “mos përzierjen" në punë të brendshme të shteteve fqinje.

Ishim të bindur ne shqiptarët në diasporë se duhej ngucë diplomacia dhe mjetet e informimit botëror. Duhej provokuar ato që të shpërthejnë heshtjen, të gërryejmë vetëdijen e tyre “humaniste” të ngrehin zërin kundër “kanibalizmit politik deri atëherë të paparë në skenën evropiane".

Veçanërisht për “diasporën” shqiptare brenda kufijve të RSFJ ishte kjo një shtytje e madhe. Të vetëdijshëm se veprimtaria e përditshme e diasporës shqiptare jashtë Jugosllavisë plekste në vete një armiqësi totale ndaj shtetit që e kishin braktisur e që edhe për mendimin e shumicës prej nesh kalonte në ekstrem nacional-romantik që nuk bindte mentalitetin e ftohtë  të Evropës, të vetëdijshëm se në radhët e tyre kishte influencë tejet të madhe diplomacia enveriste në një anë dhe ajo e UDB-së në anën tjetër,  si solucion i  vetëm na kishte  mbetur organizimi brenda Jugosllavisë.

Njëkohësisht kishim atë vetëdije se veprimtaria individuale ka rëndësinë e vet, por peshë më të madhe do të kishte paraqitja e organizuar. Truall i pëlleshëm për veprimtari të tillë në krejt Jugosllavi ishte vetëm Sllovenia. Duhej përfituar nga  mllefi që kishte populli  ndaj  armatës jugosllave që disa kohë përpara kishte tentua ta zhdukte “pranverën sllovene". Marrëdhëniet individuale që kishim para së gjithash me një numër të konsiderueshëm të shkrimtarëve dhe intelektualëve humanistë sllovenë e që, qoftë edhe nga kureshtja, u interesonte çështja shqiptare, duhej aktualizuar. Shumë prej nesh – intelektualësh, nga jeta shumëvjeçare në Slloveni  kishim bërë kontakte  me intelektualë të vendit, emrat e të cilëve kishin peshë jo të vogël jo vetëm për Slloveninë, por edhe më siç ishin Jaša Zlobec, Peter Božič, Dane Zajc, Marko Hren, Mile Šetinc, Rudi Šeligo, Janez Janša, Igor Bavčar, Tine dhe Spomenka Hribar, si dhe intelektualet kroat të kohës Ante Kovačević, Vladimir Šeks, Franjo Tudjman, Ante Paradžik, Vlado Gotovac etj.

Formimi i Këshillit për Mbrojtjen e te Drejtave dhe Lirive te Njeriut ne Kosove, në mars të vitit 1989, nga një grup nismëtarësh sllovenë e shqiptarë. E quaj të arsyeshme evidentimin e shkrimeve të tyre, kryesisht kumtesat e tyre, pasi ato luajtën rol të rëndësishëm në sqarimin e opinionit vendas e të huaj për atë se ç’po ndodhte në Kosovë. Nuk pata shumë të dhëna për autorët e tyre sllovenë e shqiptarë, që të shkruaja më gjerësisht për ta, të pasqyroja shpirtin e tyre të madh demokrat e liridashës, respektin dhe dashurinë e tyre për popullin shqiptar, e pse jo edhe guximin për të shkruar në rrethane të tilla, kur aparati përndjekës i UDB-së në Jugosllavi, gjegjësisht edhe në Slloveni vepronte me arrogancë e mizorisht. Të gjithë këta luftëtarë me pendë të lirisë, emrat e disa prej të cilëve janë shënuar në fund të thirrjeve apo kumtesave, tani në këtë kohë paqeje i falënderojmë dhe i përgëzojmë për kontributin e madh që dhanë për çështjen e së drejtës, për popullin e Kosovës. Ky Këshill, menjëherë pas formimit të tij, i drejton një thirrje gjithë opinionit publik vendas e të huaj, duke bërë me dije për padrejtësitë që bëhen në Kosovë. Kjo thirrje u botua ne gazetat sllovene “Delo” dhe “Dnevnik” me datë 16.03.1989. Në vazhdim po jap tekstin e plotë të saj. Thirrje dhe kumtesa lidhur me çështjet e shqiptareve të Kosovës nga ky Këshill. mbështetur më vonë edhe nga Shoqata shqiptarë “Migjeni” u bënë shumë.

Thirrje e grupit nisiator të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive  të Njeriut në Kosovë

“…Duam bashkësi te tille, ku te gjithë njerezit te jetojnë ne liri, paqe, ujdi e barazi, pa marre parasysh gjininë, fenë, kombësinë e bindjet politike. Sot ne Kosove nuk ka as liri, as paqe e as barazi.

Shkalla e civilizimit te një bashkësie te caktuar shtetërore, sot përcaktohet nga sasia e te drejtave qe kane pakicat. Është detyrë e shumicës qe pakicës t’i bëjë te mundshme jete te lire e te sigurte ne çdo pikëpamje. Asnjë vendim nuk mund te merret pa dëshirën e saj, e aq me pak kundër dëshirës se saj. Shqiptaret tek ne janë pakice si ne Jugosllavi ashtu edhe ne Serbi. Kurse serbet dhe popujt e tjerë janë pakice ne Kosove. Kështu edhe njëra edhe tjetra pale janë ne role te dyfishta, prandaj durimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellët duhen te jene edhe me te mëdhenj.

Por, te gjithë e dimë se ne Kosove ka kohe qe nuk është ashtu. Marrëdhëniet nder njerëzore e ndërnacionale po behen nga viti ne vit e nga dita ne dite me te tendosura. Gjithnjë e me shume po cenohen te drejtat e njeriut. Nga ky shkak jemi tepër te brengosur, pavarësisht nëse cenohen te drejtat e malazezeve a te shqiptareve, te serbeve apo le romeve, te kroateve apo te myslimaneve. Nuk është e rëndësishme kombësia, te rëndësishëm janë njerezit. Nga këto shkaqe, Këshilli ynë do te përpiqet, qe ne mënyrë te argumentuar te tërheqë vëmendjen ne te gjitha rastet e cenimit te te drejtave te njeriut ne Kosove. Tek ne, sot Kosova është plaga me e rende e shkeljes se te drejtave individuale te njeriut, te te drejtave te popujve, duke dhënë shenja për një shtrirje te drejtpërdrejtë ne gjithë shtetin. Angazhimi për te drejtat e njeriut kërkon nga ne qe gjithë energjinë e kujdesin ta orientojmë ne këtë pjese me te goditur te shtetit. Jemi te bindur se vetëm shteti juridik, qe nuk diskriminon asnjerin nga qytetaret e tij dhe asnjë bashkësi nacionale, mund te stabilizoje rrethanat ne Kosove.

Ftojmë te gjithë njerezit e deshires se mire, te gjitha shoqatat e organizatat ne tere Jugosllavinë, qe pranojnë qëndrimet tona, t’i bashkohen këtij Këshilli. Deklaratat për bashkangjitje i dergoni ne adresen: UK ZSM, Kersnikova 4, Ljubljana.  Grupi nisiator i Këshillit per Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave te njeriut ne Kosove: Peter Božič, Ivan Borštnar, Fadil Demiri, Nikolla Berishaj, Alenka Gerlovič, Matjazh Hanžek, Marko Hren, Salih Kabashi, Naim Maloku, Ajdini Mesut, Nikola Novaković, Tone Remc, Marjan Rožanc, Mile Šetinc, Taxhidin Halimi, Dane Zajc, Jaša L. Zlobec. “

Si erdhi deri te emri SHK MIGJENI

As në Lublanë, regjistrimi i shoqatës sonë nuk ishte aq i lehtë. Nëpër zyrat shtetërore kishin zënë vend “jugosllavë të përbetuar”, por edhe sllovenë, për të cilët çdo organizim i ”juzhnjakëve” shihej si rrezik. Donin të na fusnin në thes të njëjtë me  Shoqatën Sava të regjistruar para disa kohësh, shoqatë kjo serbe, por me oblandë të jugosllavizmit. Këtë nuk e pranuam. Problem u bë edhe emri Besa.

Në takim me kryesinë e LSPP (Lidhja socialiste e popullit punues) të Lublanës, që e udhëhiqte Jože Osterman, ku merrte pjesë i krejt grupi nismëtar, bashkë me Peter Božič, Jaša Zlobec, Matjaž Hanžek e Dane Zajc (që na përkrahnin plotësisht) u kundërshtua ashpër nga strukturat politike të Lublanës emri “BESA” – gjoja Besa ishte koncept negativ, hakmarrës, pra i papranueshëm.

Mbi bazën e një lutjeje nga grupi themelues, Këshilli Koordinativ për organizata shoqërore dhe shoqata ne Lubjane, me date 21 qershor mbeshtet themelimin e Shoqatës  kulturore “Migjeni”; kurse Sekretariati për pune te brendshme i qytetit te Lubjanes, pas pese kërkesave te bëra, me date 4.12.1989, jep vendimin për regjistrimin nen nr. 1317 te shoqatës  kulturore “Migjeni” me seli ne Lubjane dhe me veprimtari ne zonën e saj.

Themelimi dhe fillimi nga puna i kësaj shoqate, ishte një gëzim i madh jo vetëm për shqiptaret e Lublanes, por edhe për ata te qyteteve te tjera dhe te gjithë Sllovenisë, pasi këtu ata do te gjejnë jo vetëm argëtim, por edhe mbështetje për hallet e tyre. Shoqata “Migjeni”, e themeluar ne një kohe krize te përgjithshme te shtetit jugosllav, kur shovinizmi e nacionalizmi ekstrem serb kishte marre revanin e shfrenuar për hegjemonizem, kur shqiptaret e Kosovës po keqtrajtoheshin, burgoseshin e vriteshin, vetëm pse kerkonin te drejtat e tyre legjitime, nuk mund te rrinte pa dhënë kontributin e saj sa human aq edhe patriotik..

Kështu, vete z. Naim Maloku, ne periudhën kohore 1989 deri 1996, është zgjedhur 3 here. Duke shfletuar materiale te ndryshme te kësaj shoqate, del se shoqatën « MIGJENI» gjate viteve te ndryshme e kane drejtuar këta kryetare:

  1. Zyrtarisht në dokumente ishe i shënuar Gjon Simoni, kurse Naim Maloku, efektivisht e udhëhiqte nga qershori 1989 – 2 tetor 1990
  2. Gani Buçinca, 3 tetor 1990- 31 dhjetor 1991

Pa aktivitet, nga  1 janar 1992 – 16 shtator 1992, për shkak te pamundësive ekonomiko-financiare.

  1. Naim Maloku, 16 shtator 1992 – 93

Gjate viteve 1993-1994, si rrjedhoje e mungesës te mjeteve ekonomike, puna e shoqatës “Migjeni” dobësohet mjaft, madje ne disa sfera te jetës se saj nuk ndihet fare, kurse ne vitin 1994, ajo riaktivizohet. Duke filluar nga ky vit, kryetare te saj ishin:

  1. Tahir Maliqaj, viti 1994-95
  2. Burim Nimani, 1995-1996
  3. Naim Maloku, 1996-97.
  4. Qazim Xani, 1997- 1998
  5. Gjon Simoni, 1998-2000
  6. Tahir Maliqaj 2000- 2011
  7. Martin Berishaj, 2011-2012
  8. Tahir Maliqaj, 20012-2019
  9. Martin Berishaj, 2019-2021
  10. Burim Nimani, 2022-


Revista “Alternativa”

Nga kujtimet e Nikollë Berishajt

…. Shoqata për ne ishte edhe paravan mbrojtës në suaza të së cilës legalizohej veprimtaria jonë edhe politike si bashkësi nacionale. Po në atë ditë vendosëm që pa pritur të fillojmë edhe me revistën tonë, të cilën e pagëzuam si “Alternativa”. Pasi, së shpejti do të kthehesha në vendlindje – në Mal të Zi, që atëbotë ishte vetëm ekspoziturë e vërtetë politikës së Millosheviqit, mu desh ta refuzoja pozitën e kryeredaktorit, që ma ofruan në Këshillin e shoqatës, por në ketë vend e emëruam Salih Kabashin, që, edhe përkundër përgatitjes së tij shkollore – profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë, si i burgosur politik në grupin , bashkë me Naim Malokun dhe Fadil Demirin, punonte si roje nate në një ndërmarrje.

Në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Shpanski borci” në Moste – njëra nga komunat e Lublanës nuk kishte vend bosh. Edhe përkundër bindjes se do të bëhej antipropagandë për krijimin e shoqatës, shqiptarët nga të gjitha anët e Sllovenisë kishin ardhur. Madje, ishin mjaft sish në këmbë, që nuk kishin vend për t’u ulur. Në rendin e parë, përpos tjerëve ishin ulur edhe Ali Podrimja dhe Jasha Zllobec. Më duhet ta pranoj se pak ndonjë herë kisha emocione më të mëdha gjatë udhëheqjes së ndonjë ngjarjeje si atë ditë. E dija se për komunitetin shqiptar në Lublanë po fillonte një histori e re. Në fjalimin tim ceka nevojën evitente për themelimin e një shoqate të tillë. E dija mirëfilli, se organizimi i tillë në masë të madhe ua merrte mundësinë edhe atyre që me provokime e vepra të pa matura mirë, mund të bënin dëm shqiptarëve në Slloveni. Po krijohej një adresë, ku do të mund të drejtoheshin të gjithë ata që vlerësonin kulturën tonë, e që do të bëhej edhe pikë interesante për veprimin tonë politik. Më kujtohet se gjatë udhëheqjes së mbledhjes themeluese u drejtova edhe në sllovenisht, madje edhe me disa vargje të autorit kroat Petar Preradoviq “Mbi gjuhën” në kroatisht. Kuptohet shqipja dominonte.

Por, rasti që do të më kujtohet përgjithmonë ishte ai kur pas recitimit të disa vargjeve që i bëra në shqip Ali Podrimja e futi kokën ndërmjet duarve dhe tundi me kokë. Ishin vargjet e poetit kombëtar Atë Gjergj Fishtës, “Gjuha shqipe”.

“Pra, mallkue njai bir Shqyptari,

qi këtë gjuhë të Perëndis’,

trashigim, që na la i Pari,

trashigim s’ia len ai fmis;

edhe atij iu thaftë, po, goja,

që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;

qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,

flet e t’veten e lèn mbas dore. ”

Veç ai fakt sot shihet ndryshe, duket ndoshta edhe si i çuditshëm, por në atë kohë Fishta ishte ende nën indeks. Nuk guxohej as të përmendej, e jo më të recitohej publikisht. Ndërkaq, po t’i gjenin veprat e tij në bibliotekë private, rrezikoje edhe burg, sipas nenit famëkeq 133 të Kushtetutës së atëhershme jugosllave.

Pas përfundimit të mbledhjes themeluese, Aliu, që e dinte mirëfilli se vargje të kujt ishin dhe se çfarë mesazhi dërgonin, mu drejtua: “Ma mori mendje se vetëm një malësor i çmendur mund të bëjë një gjest të tillë” dhe pasoi një përqafim i gjatë plot krenari, që më në fund i erdhi koha edhe Fishtës të recitohej në Jugosllavi, madje disa vjet para se ta merrte të “drejtën e shfaqjes publike” në Shkodrën e tij.

Më 1 qershor të vitit 1989 doli nga shtypi numri i parë i revistës sonë “Alternativa” që fill u bë literaturë fort e kërkuar në Kosovë, ku dërgohej në mënyrë të fshehtë. Aty për herë të parë flitej haptazi për Kosovën Republikë, për të drejtat e shkelura të shqiptarëve në Jugosllavi… Përpos autorëve shqiptarë, për Alternativë shkruanin edhe emra të njohur sllovenë e kroatë.

Revista “ALTERNATIVA” e shoqatës  “MIGJENI” apo siç e njohin shqiptarët, si Alternativa e Salih Kabashit, filloi te botohet që me themelimin e shoqatës . Prandaj kur përmend shoqatë “Migjeni” kujton edhe revistën “Alternativa” dhe anasjelltas. Kjo reviste qe mjeti me te cilin u pasqyrua veprimtaria e shoqatës  dhe ku u be lufta me pende për çështjen shqiptare.

Nuk është gjë e rastit, që gjykata serbe në Prishtinë ndalon botimin dhe shpërndarjen e kësaj reviste. Por para se të flas për akuzat që iu bënë revistës “ALTERNATIVA”, dua të kujtoj fjalët e dr Ibrahim Gashit i cili kur fliste për SHKSH Migjeni citonte se çfarë thuhej në vitet ’55-‘56 nga serbët e “ditur”, lidhur me ato pak shkolla në gjuhën shqipe që ishin hapur në Kosovë, në kohën kur po bëhej edhe aksioni i dhunshëm i grumbullimit të armëve.

“Ne po u marrim pushkët shqiptarëve dhe po u japim topat, me të cilët në një të ardhme ata do të ju godasin”, thoshin ata, duke nënkuptuar me topa shkollat, gjegjësisht arsimimin, ndonëse këto shkolla shqiptarët i fituan me gjak dhe nuk ua dhuroi askush. Këta pushtues të egër, duke ditur pozicionin e tyre si uzurpues e “mish i huaj” në Kosovën shqiptare, kishin frikë nga shkolla shqipe, e cila do të ndrigonte mendjet e shqiptareve, e do t’u tregonte rrugën drejt glirimit nga zgjedha e huaj. Kaluan vite dhe serbi që shprehu atë mendimin e “topave”, mund të “lavdërohet” si largpamës.

Dhe njëra ndër predhat e këtyre topave, qe edhe “ALTERNATIVA” e shoqatës  shqiptare “Migjeni” të Lubjanës, e cila ka meritën e madhe, si shumë revista e gazeta të tjera shqiptare, për pasqyrimin real të ngjarjeve në Kosovë dhe të demaskimit të hipokrizisë jugosllave. “Alternativa” qe tribuna, ku u shfaq mendimi i lirë qytetar e kombëtar, ku u shprehën dëshirat dhe aspiratat e shqiptareve, ku gjëmoi zemërimi dhe indinjata shqiptare ndaj barbarëve, ku u shpalosën idetë dhe rrugët për çlirim kombëtar, ndonëse gjithnjë pa cenuar të tjerët. Kjo ishte “Alternativa”, të cilën ata që pinin gjak shqiptari deshën ta zhduknin nga faqja e dheut. Pikërisht për këtë arsye ata ngritën gjyqe e bënë tentativa për të ndaluar shpërndarjen e saj.

Me krijimin e shoqatës, secili nga shqiptarët në Lublanë e edhe më gjerë e ndiente një obligim të bënte diçka për “çështjen”. Këtu do të veçoja edhe, tani të ndjerin Halit Keqa, i cili pas një kohe e dizajnojë edhe prototipin e monedhës kosovare, të cilën e emëroi Dardani. Monedha 1 Dardan kishte në avers figurën e Gjergj Kastriotit, ndërsa në revers Bibliotekën kombëtare të Prishtinës. Dizajnin e kishte bërë krejtësisht me dorë, pasi kompjuterë të tipit të sotëm atë kohë nuk kishte. Nuk mund ta përshkruaj ngazëllimin e të gjithë neve kur na e prezantoi. Edhe sot e ruaj një kopje të asaj “monedhë” si rezultat i një energjie pozitive që i përfshiu shqiptarët në slloveni, në misionin e tyre për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Kosovë, gjegjësisht në tërë slloveni.

Njëri nga njerëzit që dha shumë në rritjen e imazhit të shqiptarëve në Lublanë ishte edhe filigrani i njohur Gjon Simoni, me të cilin debatonim lidhur me çdo çështje, e veçanërisht me ato pikante dhe problematike. Gjoni vërtetë kishte një lokal të vetin në qendrën e Lublanës, ku punonte si filigran, ai ishte intelektual i mirëfilltë. Para se të vinte në Slloveni, ai punonte si spiker i Radio Prishtinës. Shkaku i braktisjes së punës në radio ishte refuzimi të lexonte një lajm antishqiptar në valët e radios. Prej atij rasti, ai nuk eksponohej shumë, por ishte gjithnjë i gatshëm për ndihmë dhe vazhdimisht kishte përgjigje në pyetjet më të vështira që na paraqiteshin.

Se veprimtaria jonë ishte temë e interesimit për sigurimin shtetëror jugosllav, për UDB-ën flet edhe fakti se shumë nga ne u bëmë temë e shtjellimit në së paku dy libra të autorit Marko Llopushina, që në qarqet e kohës njihej si njeri i UDB-së: në librin “Sigurimi në Jugosllavi” dhe “UÇK kundër Jugosllavisë – Si e kemi humbur Kosovën dhe Metohinë”. Madje një kapitull i tërë i librit Sigurimi në Jugosllavi ishte Sigurimi në Slloveni – ku flitet shumë për veprimtarinë tonë, kuptohet nga këndvështrimi i UDB-së. Gazetar tjetër që shkruante për ne, kuptohet negativisht ishte edhe korrespondenti i Politikës së Beogradit nga Lublana, Millan Llaketiq.

Ne vitet ‘80-‘90, kur serbet intensifikuan barbarizmat ndaj shqiptareve kudo ne ish Jugosllavi, shqiptaret me banim në Slloveni dhe disa sllovene, dashamires për çështjen shqiptare, u aktivizuan në mbrojtje të kësaj të fundit. Rol të rëndësishëm luajtën Partía e Lidhjes Demokratike me kryetarin e saj z. Martin Berishaj dhe Partia për Prosperitet Demokratik, me kryetar z. Isak Ramadani, të cilat, disa herë vetëm, e shume herë të bashkuara ngritën zërin e tyre në mbrojtje të çështjeve shqiptare, sidomos për Kosovën. Më vonë, me krijimin e shoqatës Migjeni në vitin 1989, deri në vitin 1992, dy partitë e lartpërmendura së bashku me këtë shoqatë u bënë forca kryesore lëvizëse për çështjet kombëtare shqiptare.

Fjalimi i Akademik Rexhep Qosja në përvjetorin e parë të SHKSH “Migjeni" me temën “Hapësira kulturore shqiptare" 1990 Lublanë