Foto galeri nga manifestimi për rastin e 30-vjetorit të shoqatës kulturore shqiptare “Migjeni"

Në datat 7 dhe 8 qershor, Shoqata Kulturore Shqiptare “Migjeni”, Lubjanë, përmes disa veprimtarive ka festuar 30 vjetorin e krijimit të saj.

Veprimtarë të njohur si Gjon Simoni, Naim Maloku, Salih Kabashi, Fadil Demiri, Nikollë Berishaj, Mesut Ajdini, Fadil Bajrami, Gani Buçinca, Halil Matoshi, Abedin Maliqi, Taxhedin Alimi, Iljaz Ibrahimi, Martin Berishaj e shumë të tjerë i dhanë jehonë çështjes shqiptare, e kthyen në çështje të ditës kauzën e Kosovës, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për çështjen kombëtare shqiptare.

Pas 30 vitesh, ka qenë mëse e natyrshme dhe e merituar për të risjellë në vëmendje përpjekjet, rrugën e bërë dhe arritjet e shqiptarëve të Sllovenisë përmes Shoqatës “Migjeni”. Ceremonitë e nderimit të 30 vjetorit të shoqatës përfshinin simpozium shkencor “Si e kapërcyem pragun e shpresës”, organizuar në Muzeun e Historisë Bashkëkohore në Lubjanë në datën 7 qershor, ekspozitë e piktorit Gani Llalloshi, në datën 7 qershor, koncert festiv i muzikës popullore me interpretimin e këngëtarit të mirënjohur Malsor Prënkoçaj në mbrëmjen e datës 7 qershor dhe koncert i muzikës qytetare në Lubjanë nga ana e Grupit “KVALI” dhe seksionit muzikor të Shoqatës “Migjeni”, në datën 8 qershor.
 
Simpoziumit shkencor iu bashkuan autoritete nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Nderonin me pjesëmarrrjen e tyre ministrat e Diasporës të Shqipërisë dhe Kosovës, Pandeli Majko dhe Dardan Gashi, Ministri i Arsimit të Maqedonisë së Veriut, Arbër Osmani, zëvendës kryetari i Bashkisë së Lubjanës, Dejan Crnek, përfaqësues të zyrës të Presidentit të Republikës së Kosovës, deputet i Kosovës, figura publike shqiptare dhe sllovene, të ftuar nga shqiptarët e Kroacisë, Amerikës dhe Zvicrës, deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Leka Prlaskaj, Ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës në Slloveni, si dhe figura të tjera publike shqiptare dhe sllovene. Nën drejtimin e profesor Martin Berishaj, paraqitën kumtesat e tyre një numër studjuesish si profesorët Paskal Milo, Bujar Dugolli, Arsim Sinani, Afrim Krasniqi, dëshmitarë shqiptarë dhe sllovenë të ngjarjeve kryesore të shoqatës që prej themelimit të saj, etj. Punimet e simpoziumit u përshëndetën edhe nga Akademik Rexhep Qosja, ish Presidenti i Sllovenisë Milan Kučan dhe Janez Janša. Gjithashtu, përmes një dokumentari për pjesëmarrësit u paraqitën ngjarjet kryesore të lidhura me themelimin dhe veprimtaritë e Shoqatës “Migjeni”.
Gjatë simpoziumit, Ministri i Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko, dorëzoi Titullin “Naim Frashëri”, akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për Shoqatën Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe për Gjon Simoni (pas vdekjes), ish kryetar i shoqatës. Ndërsa përfaqësuesi i Presidentit të Republikës së Kosovës dorëzoi dekoratën e lartë shtetërore “10 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës”, akorduar nga Presidenti i Republikës së Kosovës për Shoqatën “Migjeni”. Po ashtu, Shoqata “Migjeni” vlerësoi me pllakatën e Shoqatës “Migjeni” dhe mirënjohje një numër personalitetesh dhe figurash publike, që kanë patur rol të shquar dhe kontribut për shoqatën që prej themelimit të saj.